Siguria në Internet
Çfarë bëjnë fëmijët në internet — dhe si të flisni me ta për këtë
Fëmijët sot jetojnë në internet ashtu siç jetonim ne dikur në lagje — duke kaluar kohë me të tjerët, duke bërë gabime dhe duke mësuar nga përvoja. Ndryshimi është se “lagjja” tani është digjitale dhe nuk është gjithmonë e lehtë për prindërit të ndjekin se çfarë bëhet.
Është joshëse të shkoni në ekstreme: ose ta injoroni plotësisht dhe të shpresoni për më të mirën ose të përpiqeni të monitoroni gjithçka. Asnjëra nuk funksionon në afatgjatë.
Lajmi i mirë është se siguria në internet nuk fillon me ndalime apo mbikëqyrje. Ajo fillon me lidhje dhe besim. Kur fëmija e di që, nëse diçka shkon keq, nuk do të përballet me të i vetëm.
Besimi dhe kontrolli: gjetja e balancës
Biseda për sigurinë në internet është më mirë të fillojë para se të ndodhë ndonjë problem — idealisht kur fëmija është ende i vogël, rreth kohës kur fillon të përdorë tabletin për të parë filma vizatimorë. Sa më shumë që rritet fëmija, aq më e vështirë bëhet ta monitoroni — dhe aq më e rëndësishme është që tashmë të keni ndërtuar një zakon komunikimi të hapur.
Kontrollet prindërore, kufizimet në shfletues dhe limitet e kohës para ekranit janë mjete të dobishme. Por, ato funksionojnë vetëm kur keni komunikim. Fëmija duhet të kuptojë pse ekzistojnë këto masa. Jo “Po të kontrolloj çdo gjë që bën”, por “Dua që të jesh i sigurt përderisa po mëson të orientohesh në këtë botë. Kur të jesh gati, do të gjejmë një mënyrë tjetër.”
Sa kohë duhet t’i mbani këto kontrolle? Nuk ka një përgjigje të saktë. Treguesi më i mirë është ky: sa më i sigurt të jetë fëmija në përballimin e situatave të vështira — dhe sa më lehtë të vijë tek ju kur diçka shkon keq — aq më shumë mund të tërhiqeni gradualisht nga kontrolli. Nuk ka të bëjë me moshën, por me besimin që ndërtohet në të dyja drejtimet.
Çfarë duhet të dijë çdo fëmijë
Disa parime të rëndësishme që duhen përsëritur shpesh, duke filluar që në moshë të hershme:
Interneti mban mend gjithçka. Mesazhet, fotot, komentet — edhe ato që fshihen — mund të ruhen dhe të shpërndahen. Para se të postojë diçka, duhet t’ia bëni këtë pyetje vetes: “A do të isha në rregull nëse këtë do ta shihnin të gjithë?”
Nuk ka anonimitet të vërtetë. Të sillesh keq online ka pasoja — ndonjëherë serioze. Fjalët nuk zhduken vetëm pse janë shkruar në internet.
Të dhënat personale duhet të mbeten private. Adresa e shtëpisë, emri i shkollës, fotot me lokacion, rruga që ndjek për në shtëpi, makina e parkuar jashtë — të gjitha këto mund të ndihmojnë një të panjohur të gjejë një fëmijë në jetën reale.
Mos klikoni në linqe nga të panjohur — edhe nëse mesazhi duket sikur vjen nga një markë e njohur ose nga një mik. Gjithmonë verifikoje direkt me personin.
Mos i jepni kurrë fjalëkalimet ose të dhënat e kartës. Me askënd. Pavarësisht se sa bindëse tingëllon kërkesa.
Tregoni menjëherë prindit nëse diçka në internet ju duket e çuditshme, e pakëndshme ose frikësuese. Mos u përpiqni ta zgjidhni vetë.
Kujdes: mashtrimet
Mashtrimet në internet që kanë target fëmijët dhe adoleshentët po bëhen gjithnjë e më të shpeshta — dhe më bindëse. Edhe të rriturit bien pre e tyre. Ja disa skenarë realë që ia vlen t’i dini:
“Keni fituar një shpërblim.” Vjen një mesazh që thotë se fëmija ka fituar diçka — mjafton të japë të dhënat ose të paguajë për dërgesën. Në fakt, nuk ka asnjë çmim. Është një mënyrë për t’ju marrë të dhënat bankare ose para.
“Voto për mua.” Një mesazh që duket sikur vjen nga një shok/shoqe: “Më ndihmo, voto për mua në këtë link.” Linku ju çon në një faqe mashtruese që vjedh kredencialet e llogarisë — dhe më pas dërgon të njëjtin mesazh te të gjithë personat që gjenden në listën e kontakteve të fëmijës suaj.
“Shkarkoni këtë lojë falas.” Instalimi i programeve nga faqe jozyrtare shpesh përmban malware të fshehur që mund të vjedhë fjalëkalime dhe qasjen në llogari.
“E di çfarë ke bërë.” Një mesazh pretendon se ka foto ose informacione për fëmijën. Qëllimi është ta frikësojë që të dërgojë para ose të dhëna personale. Ky është shantazh — dhe është i paligjshëm.
Përgjigja për të gjitha këto është e njëjtë: mos u përgjigj, mos kliko, mos paguaj — dhe i trego menjëherë prindit. Edhe nëse duket më e lehtë ta përballo vetëm.
Si t’i zhvilloni këto biseda pa e mbyllur komunikimin
Nuk ekziston momenti i përsosur. Një fëmijë i vogël mund të mos e kuptojë plotësisht çfarë po i thoni. Një nxënës i shkollës fillore mund të mendojë se kjo nuk mund t’i ndodh atij. Një adoleshent mund të rrotullojë sytë dhe të thotë që i ka dëgjuar të gjitha më parë.
Por, kjo është pjesë e rolit të prindit. Ndonjëherë prindërimi do të thotë të thoni të njëjtat gjëra vazhdimisht -— sepse kur të vijë momenti, fëmija do ta kujtojë zërin tuaj.
Disa mënyra që i bëjnë këto biseda më të lehta:
Bëni pyetje, jo ligjërata. “Çfarë po shikojnë të gjithë këto ditë?”, “A të ka shkruar ndonjëherë dikush që nuk e njeh?” Kjo është një bisedë, jo një fjalim.
Më mirë shpesh dhe shkurt, sesa rrallë dhe gjatë. Tre minuta bisedë në makinë vlejnë më shumë sesa një diskutim i gjatë një herë në vit.
Përdorni shembuj realë. Nëse dëgjoni për një mashtrim, përmendeni: “Kjo është një gjë që ndodh vërtet. Ti çfarë do të bëje në këtë rast?”
Qëndroni të qetë. Nëse fëmija ju tregon diçka shqetësuese, përpiquni të mos reagoni me panik. Nëse sheh reagim të fortë, herën tjetër mund të hezitojë të vijë tek ju.
Gjërat për të cilat ia vlen të bini dakord paraprakisht
Rregullat funksionojnë më së miri kur i vendosni bashkë — jo kur u imponohen fëmijëve.
Një frazë kodi. Bini dakord për një frazë që fëmija mund ta përdorë në mesazh ose telefonatë nëse ndihet i rrezikuar, por nuk mund ta thotë drejtpërdrejt. Një frazë është më e mirë se një fjalë e vetme — është më e vështirë të përdoret rastësisht.
Rregulli “ma trego mua i pari”. Nëse vjen diçka e dyshimtë — mos u përgjigj, mos e fshij, por tregoja prindit. Një screenshot mund të shërbejë si provë.
Mos iu dorëzo shantazhit. Nëse dikush kërcënon të publikojë diçka të sikletshme, pagesat apo bindjet vetëm e përkeqëson situatën. Veprimi i duhur është të njoftoni menjëherë prindin. Mund të duket sikur gjithçka është shkatërruar — por nuk është ashtu. Këto situata zgjidhen: ka profesionistë, ka mundësi ligjore dhe ju do të jeni gjithmonë në anën e fëmijës sido që të jetë.
Kur dhe ku lejohen pajisjet. Vendosja e kufijve të qartë dhe të parashikueshëm për përdorimin e ekraneve ul konfliktet dhe u jep të gjithëve një pikë referimi.
Çfarë mund të bëni sot
Pyesni për jetën e tyre online — me çfarë merren, çfarë përdorin të gjithë — dhe thjesht dëgjojini. Ky është themeli për çdo bisedë që vijon.
Provoni një skenarë të shkurtër: “Dikush të shkruan që ke fituar një telefon të ri. Çfarë bën ti?”. Diskutojeni bashkë, pa gjykim.
Caktoni një frazë kodi. Mu tani, si një lojë. Shkruajeni diku.
Kontrolloni cilësimet e privatësisë në llogaritë e tyre të telefonit dhe rrjetet e tyre sociale — së bashku, jo pa ta.
Vendosni kontrollet prindërore nëse nuk e keni bërë ende dhe shpjegojini fëmijës tuaj se për çfarë duhen ato dhe pse janë aty — duke përfshirë edhe kur planifikoni t’i hiqni gradualisht.
Qëllimi nuk është kontrolli. Është një fëmijë që e di se nëse diçka shkon keq online, ka një të rritur të cilit mund t’i drejtohet — pa pasur frikë se çfarë ndodh më pas.
Проверьте электронный ящик